"Nëse jeni në vështirësi, ne do të hedhim një komardare", njofton një dron me inteligjencë artificiale nga ajri, në bregdetin në jug të Francës, ku aktualisht po testohet një pajisje e projektuar për të zbuluar rrezikun e mbytjes. Tre valët e njëpasnjëshme të nxehtësisë që kanë goditur Francën që nga maji kanë çuar në një rritje të numrit të viktimave në det, liqene e lumenj. Në dy muaj e gjysmë, 274 persona janë mbytur, pa llogaritur incidentet e tjera që fatmirësisht nuk kanë përfunduar në mënyrë fatale. Instadrone, është një kompani e specializuar në përdorimin e dronëve në mjedise industriale, dhe tani dëshiron të zgjerojë operacionet e saj për të përfshirë edhe monitorimin e bregdetit. Ajo ka marrë mbështetje edhe nga këshilli lokal dhe vetë resortet, që financojnë testet e vazhdueshme.