Bashkimi Europian thotë se nuk mund të bëjë publik draftin zyrtar mbi të cilin po diskuton Kosova dhe Serbia për procesin e dialogut. Pikat kryesore të draftit, Top Neës ka mundur t’i sigurojë përmes burimeve zyrtare nga Qeveria e Kosovës. Por, për draftin e plotë në një përgjigje drejtuar Top Neës, zëdhënësi i Komisionit, Peter Stano shprehet se është në praktikën e Brukselit që të mos publikojë draftet e plota të dokumenteve të dialogut, për të cilat palët nuk kanë firmosur dakordësinë e tyre. Burimet thonë se drafti parashikon që asociacioni i komunave me shumicë serbe do të ketë selinë qendrore në Mitrovicë dhe se nuk do të shërbejë vetëm për serbët. Po ashtu, drafti siguron njohjen de facto nga ana e Serbisë të Kosovës përmes njohjes së plotë të dokumenteve e marrëveshjeve dypalëshe e ndërkombëtare, ndërsa për herë të parë në një dokument përmendt ‘Republika e Kosovës’.