Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se është i gatshëm të dërgojë trupa amerikane për të marrë rezervat bërthamore të Iranit, por theksoi se preferon që kjo të ndodhë në kuadër të një marrëveshjeje me Teheranin. Sipas tij, çështja e programit bërthamor iranian dhe stoku i uraniumit të pasuruar mbetet në qendër të tensioneve mes dy vendeve. Në një intervistë për NBC, Trump u shpreh se nëse arrihet një marrëveshje, SHBA-ja dhe Irani mund të bashkëpunojnë për shkatërrimin e këtij materiali bërthamor. Ai la të kuptohet se procesi mund të realizohet me pajisje amerikane dhe në koordinim me autoritetet iraniane, duke synuar eliminimin e plotë të rezervave.