Rusia do të vazhdojë të zhvillojë triadën e saj bërthamore të raketave balistike, nëndetëseve dhe bombarduesve strategjikë sepse këto armë janë garancia më e madhe e sovranitetit tonë – tha ministri rus i mbrojtjes Sergei Shoigu, të martën. “Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë triadën bërthamore dhe të mbajmë në gatishmëri luftarake trupat pasi mburoja bërthamore ka qenë dhe mbetet garantuesja kryesore e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë”, tha Shoigu. Po ashtu, ministri rus i mbrojtjes tha se do të rritet edhe kapaciteti luftarak i forcave aerospaciale, si në kuptimin e funksionimit të avionëve luftarakë dhe bombarduesve në zona ku sisteme më moderne të mbrojtjes ajrore janë funksionalë, ashtu edhe në kuptimin e përmirësimit të mjeteve ajrore të telekomanduara.