Autoritetet e Kosovës në vazhdimësi u kanë bërë thirrje qytetarëve të vendit që të kursejnë energjinë elektrike, sidomos gjatë muajve të dimrit, në mënyrë që niveli i reduktimeve të energjisë të ulet. Sipas tyre, duke marrë parasysh që Kosova gjendet në rrjetin e përbashkët energjetik evropian, i cili po vuan nga kriza ekstreme energjetike, si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës, situata energjetike në të cilën mund të gjendet vendi gjatë muajve të dimrit, mbetet e paqartë dhe e pasigurt. Por, disa qytetarë të Prishtinës, ndonëse i vlerësojnë të arsyeshme rekomandimet e autoriteteve të vendit për kursim të energjisë elektrike, kanë pikëpamje të ndryshme nëse ajo mund të kursehet, veçanërisht gjatë muajve të ftohtë të dimrit.