Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar pas mbledhjes së grupit parlamentar se gjashtë deputetë të LDK-së kanë vendosur të mos mbështesin kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës. Sipas Abdixhikut, deputetët Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Janina Ymeri, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Arben Gashi nuk do të respektojnë vendimin e Kryesisë së LDK-së, e cila më herët kishte miratuar unanimisht marrëveshjen politike për mbështetjen e Sejdiut. “Me keqardhje, gjashtë deputetë të LDK-së kanë vendosur të mos e respektojnë vendimin e Kryesisë së LDK-së. Ata kanë deklaruar se nuk e votojnë kandidatin e propozuar. Konsideroj se i shkaktojnë dëm vendit dhe e dërgojnë vendin në zgjedhje”, deklaroi Abdixhiku. Më herët, Kryesia e LDK-së u kishte bërë thirrje deputetëve të saj që të votojnë Bekim Sejdiun për president, duke argumentuar se marrëveshja synon tejkalimin e krizës institucionale dhe garantimin e funksionimit të qëndrueshëm të institucioneve.