Ashtu siç kishte paralajmëruar, Partia Demokratike organizoi protestën e saj, duke iu bashkuar tubimit të studentëve dhe qytetarëve kundër qeverisë. Deputetë të PD-së, së bashku me mbështetës të kësaj force politike, u nisën nga selia blu në drejtim të Kryeministrisë, e cila ishte ndalesa e parë e protestës së tyre. Në një deklaratë për mediat, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, deklaroi se opozita qëndron në krah të studentëve. Ndërsa, zërave kritikë për përfshirjen e partisë në protestë, iu përgjigj duke thënë se askush nuk mund ta largojë këtë forcë politike nga sheshi. Më tej, demokratët marshuan drejt Ministrisë së Arsimit, aty ku ndodheshin edhe protestuesit e tjerë. Por pjesëmarrja e deputetëve demokratë nuk u prit mirë nga të gjithë, duke sjellë edhe përplasje mes tyre dhe protestuesve.