Ish-zëdhënësi i partisë neonaziste "Agimi i Artë", Ilias Kasidiaris, është liruar këtë të martë nga burgu i Domokosit në Greqinë qendrore, pasi përfundoi dënimin për rolin e tij në një organizatë kriminale. Menjëherë pas daljes nga burgu, 45-vjeçari deklaroi se do të rikthehet në politikë, duke paralajmëruar krijimin e një force të re politike me orientim nacionalist. ‘Ju premtova se kur të dilja nga kjo portë nuk do të kthehesha vetëm në liri, por edhe në vijën e parë të betejave tona kombëtare. Po rikthehem’-deklaroi Kasidiaris. Kasidiaris tha se synimi i tij është të luftojë kundër asaj që e cilësoi si qeverinë më të korruptuar të Greqisë në periudhën pas diktaturës ushtarake.