Dëgjesa e parë e Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale me kryetarët e bashkive në vend nxorri në pah dallimet mes idesë së socialistëve në qendër për reduktimin e numrit të bashkive me rezervat e të zgjedhurve të saj vendore. Para ligjvënësve socialistë dhe demokratë dolën pesë kryebashkiakët socialistë të Qarkut të Elbasanit, Bukurosh Maçi i Peqinit, Arif Tafani i Belshit, Mariglen Qato i Librazhdit, Nuri Belba i Prrenjasit dhe Florenc Doka i Cërrikut. Me përjashtim të kryebashkiakut të Cërrikut, që kërkoi zgjerimin e Bashkisë, katër të tjerët vunë në dukje se më shumë se sa madhësia e territorit, mirëfunksionimi i bashkive garantohet nga zgjerimi i kompetencave dhe të ardhurave.