Agjencitë dhe shoqatat turistike në Kosovë paralajmërojnë se nëse bizneset shqiptare të turizmit vijojnë me prirjen aktuale të rritjes së çmimeve, numri i vizitorëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të ulet vazhdimisht. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, Ruzhdi Kurtishaj thotë se çmimet që aplikojnë shumica e bizneseve shqiptare, sidomos në bregdet gjatë periudhës korrik-gusht po largon pushuesit nga Kosova, që sipas tij, do të detyrohen që të pushojnë në Shqipëri gjatë muajve mars-qershor dhe shtator tetor, jashtë fluksit të sezonit, sepse korriku dhe gushti po bëhen të papërballueshëm.