Rishikimi i çmimeve të referencës të pronave në rrethe, përfshirë këtu edhe atyre në bregdet pritet të përfundojë brenda muajit prill. Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi këtë të hënë se grupi i punës i ngritur për këtë qëllim po vijon me analizimin e të dhënave të siguruara nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe të dhënat publike që merren nga agjencitë e shit-blerjes së pronave të patundshme. Ministri tha se çmimet e referencës në rrethe nuk u publikuan njëkohësisht me ato të Tiranës për shkak të diferencës së madhe të konstatuar mes çmimeve në sistemet zyrtare të kadastrës me çmimet reale në terren.