Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Klinton do të vizitojë për herë të parë Shqipërinë në datat 3 dhe 4 korrik 2023. Klinton dhe delegacioni që e shoqëron do të mbërrijë në Tiranë ditën e hënë, më 3 korrik, pasdite, ku në orën 19.00 do të pritet nga Kryeministri Edi Rama në një ceremoni të posaçme zyrtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë, me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve. Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të SHBA-ve dhe Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i 42-të i SHBA-ve Bill Klinton do të bëjnë parakalimin ceremonial dhe do të nderojnë flamujt e dy vendeve.