Një cisternë nafte e sekuestruar nga Franca në Mesdhe dhe e dyshuar si pjesë e "flotës hije" të Rusisë, që shkel sanksionet, u ankorua të dielën pranë një porti jugor francez, e ruajtur nga marina franceze. Anija Grinch u kap të enjten në mëngjes në ujërat ndërkombëtare mes Spanjës dhe Afrikës së Veriut. Marina franceze e shoqëroi atë në Gjirin Fos në Francën jugore, tha prefektura rajonale detare në një deklaratë. Anija do të mbahet në dispozicion të prokurorit publik të Marsejës si pjesë e një hetimi paraprak për mosngritjen e një flamuri, shtoi prefektura. Kapiteni dhe ekuipazhi gjithashtu do të merren në pyetje, sipas një burimi pranë çështjes. Cisterna lëshoi spirancën rreth 500 metra larg qytetit Martigues, vërejti një fotograf i AFP të dielën në mëngjes. Një anije e marinës franceze dhe dy anije patrullimi të xhandarmërisë ishin të stacionuara afër.