Pluhuri afrikan mbi Kretë është vetëm një pjesë e panoramës ekstreme të motit të keq që ka goditur Greqinë orët e fundit. Qielli mbi shumë pjesë të ishullit ka marrë ngjyrën portokalli, në një pamje që të kujton më shumë Saharan sesa Mesdheun. Sipas mediave greke, si pasojë e këtij fenomeni është ulur ndjeshëm shikueshmërinë si dhe është krijuar një atmosferë mbytëse, sidomos në Iraklio dhe Hania, ku disa zona pothuajse “u zhdukën” nga mjegullnaja e dendur. Në qytetin e Iraklios , situata shkaktoi probleme edhe në aeroport. Disa avionë nuk arritën të ulen dhe u devijuan drejt aeroporteve të tjera, ndërsa pati vonesa dhe anulime fluturimesh. Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve, sidomos personave me probleme të frymëmarrjes, të qëndrojnë brenda. Ndërkohë, stuhia “Erminio” po përfshin një pjesë të madhe të vendit me reshje të dendura, stuhi, breshër dhe erëra shumë të forta. Sipas meteorologëve, fenomenet më intensive pritet të zgjasin deri të enjten, ndërsa nga e premtja parashikohet përmirësim gradual i motit.