Paketa fiskale mungoi gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Konferencën e Kryetarëve, edhe pse penalitetet dhe gjobat që qeveria pritet t’u faturojë bizneseve, kanë qënë kryefjala e reagimeve të Dhomës së Tregtisë. Demokratja Jorida Tabaku kërkoi ndërprerje të seances, për aq kohë sa nuk prezantohej pika më e rëndësishme e buxhetit. Duke sjellë për referencë klauzolat e ligjit për buxhetin, mazhoranca vijoi punimet për projektbuxhetin e vitit 2023. Ministrja e financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi se sfida më e madhe e qeverisë mbetet borxhi publik. Miratimi i buxhetit për vitin 2023, pritet të çelë debate mes pozitës dhe opozitës, pasi përfaqësuesit e bizneseve, të njohur me draftin e paketës fiskale, kërkojnë uljen e barrës fiskale dhe miratimin e amnistisë fiskale.