Bundestagu gjerman kërkon të dërgojë një sinjal solidariteti dhe mbështetje për Ukrainën, por edhe të tregojë unitetin brenda politikës gjermane. Pas disa javësh debati, Unioni i CDU/CSU dhe partitë e koalicionit qeverisës, SPD, Të Gjelbrit dhe FDP kanë sheshuar grindjen për dërgimin e armëve të rënda në Ukrainë dhe votojnë të enjten së bashku për dorëzimin e tyre. Në një deklaratë të publikuar në Berlin të mërkurën nga krerët e grupeve parlamentare thuhet se ky është një sinjal i përgjegjësisë për Ukrainën dhe vendosmërisë kundër agresionit të Rusisë.