Britania e Madhe ka njoftuar të premten një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 580 milionë dollarësh, në prag të samitit të 27-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës. Sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes, kjo ndihmë e realizuar në bashkëpunim me Norvegjinë, do të përfshijë furnizimin me qindra mijëra dronë luftarakë, sisteme të radarëve, mina antitanke, si dhe kontrata për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve të blinduara të ushtrisë ukrainase. Pajisjet do të sigurohen nga kompani britanike dhe ukrainase. Në prag të samitit, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, theksoi nevojën urgjente për përforcimin e mbrojtjes ajrore.