Akti normativ i Qeverisë për buxhetin e vitit 2025, ku rialokohen fondet në disa sektorë është pritur me rezerave jo vetëm nga ana e opozitës. Deputeti socialist, Erion Braçe kritikoi aktin, pasi sipas tij nuk parashikohet mbështetje financiare për fermerët e dëmtuar nga zjarret e verës, përmbytjet e nëntorit dhe përmbytjet e janarit të këtij viti. Braçe tha se mundësitë janë, përsa kohë teprica e fondeve të pashpenzuara në buxhetin e vitit të kaluar është 30 miliardë lekë. “15 miliardë po i kalojmë te skema e pensioneve dhe shumë mirë po bëjmë, po 15 të tjera pse nuk i kalojmë për fermerët?”, tha Braçe.