Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare po vijojnë operacionin “Siguria Detare”, me synim garantimin e sigurisë në zonat ujore gjatë sezonit turistik. Në kuadër të këtij operacioni, janë shtuar patrullimet dhe kontrollet në hapësirat detare, liqenore dhe lumore, nga Ksamili deri në Velipojë. Gjatë javës së fundit janë kontrolluar gjithsej 452 mjete lundruese, nga të cilat 33 janë bllokuar për shkelje të ndryshme, përfshirë tejkalimin e perimetrit të sigurisë, lundrimin jashtë zonave të përcaktuara dhe mungesën e dokumentacionit të nevojshëm. 8 mjete janë kapur duke lundruar brenda zonës së sigurisë, duke vënë në rrezik jetën e pushuesve. Drejtuesit janë ndëshkuar me masa administrative prej 100 mijë lekë secili. Gjithashtu Policia Kufitare ka ndërhyrë në 4 raste urgjente, duke shpëtuar 9 shtetas shqiptarë dhe të huaj që ndodheshin në rrezik për shkak të kushteve të vështira në det ose defekteve në mjetet e tyre.