Zëvendëspresidentja amerikane Kamala Harris dhe këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan do të marrin pjesë në konferencën për paqen për Ukrainën që mbahet në Zvicër më 15 qershor, njoftoi në një deklaratë Shtëpia e Bardhë. Zëvendëspresidentja Harris do të shkojë në Zvicër për të nënvizuar angazhimin e Uashingtonit në mbështetje të integritetit territorial dhe parimeve të Kartës së OKB-së, tha Kirsten Allen, drejtore për komunikimin e saj. Harris do të riafirmojë mbështetjen amerikane për popullin e Ukrainës, që po mbrohet nga agresioni rus, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë. Kremlini ka thënë vazhdimisht se bisedimet për arritjen e paqes në Ukrainë duhet të përfshijnë edhe Rusinë, e cila nuk është ftuar për të marrë pjesë në këtë takim të nivelit të lartë.