Ashtu si në të gjithë vendin, edhe në qytetin e Lushnjes qindra besimtarë myslimanë kanë festuar sot Ditën e Kurban Bajramit. Falja e namazit të Bajramit është kryer në sheshin qendror të qytetit, ku besimtarët janë bashkuar në lutje për paqe, mirësi dhe mbarësi në familjet e tyre. Pas përfundimit të faljes, të pranishmëve iu drejtua me një fjalë përshëndetëse Myftiu i Lushnjes, Gramos Blliku. Në mesazhin e tij, Myftiu Blliku vuri theksin te solidariteti, ndihma ndaj njerëzve në nevojë dhe rëndësia e sakrificës e harmonisë brenda komunitetit.