Ashtu siç kishte paralajmëruar, kreu i Partisë Demokratike, ka zhvilluar një takim me komunitetin shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita rikthen Berishën në Amerikë 35 vjet pas udhëtimit të parë, në mars të vitit 1991, të cilin ai e kujtoi si një moment vendimtar në rrugëtimin e tij politik dhe në mbështetjen për përmbysjen e diktaturës komuniste. Në fjalën e tij, kreu i Partisë Demokratike vlerësoi rolin e diasporës shqiptare në SHBA, por takimi nuk u kufizua vetëm te kujtimet dhe falënderimet. Berisha e përdori platformën për t’u bërë thirrje shqiptarëve në SHBA që të angazhohen në atë që ai e quajti beteja për çlirimin e Shqipërisë nga narkoshteti.