Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme kërkesë të re, ku kërkon zëvendësim të masës së sigurisë nga “arrest me burg” në një masë tjetër, duke afruar edhe garanci pasurore 20 mijë euro. Në kërkesën e depozituar mësohet se ish-ministri ka bashkëngjitur edhe vendimin e Gjykatës së Lartë sa i takon çështjes së paraburgimit. Vendimi i marrë në unanimitet nga gjyqtarët e Kolegjeve të Bashkuara parashikon se kufizimi më i rëndë i lirisë personale, masa e arrestit me burg duhet të merret pasi më parë të jenë shqyrtuar realisht masat e tjera alternative. Po ashtu kërkohet arsyetim rast pas rasti për personin e përfshirë dhe që të jetë prokuroria ajo që të ketë barrën e provës për të justifikuar nevojën e masës ekstreme. Ilir Beqaj ndodhet në burg që prej 4 korrikut 2024, kur u arrestua lidhur me dosjen e abuzimeve me fondet e Bashkimit Evropian në SASPAC.