Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar Iranin se do të ishte dicka “e mençur” që të arrinte një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, teksa presidenti amerikan, Donald Trump, sërish aludoi për një veprim të mundshëm ushtarak. Të dyja palët së voni kanë rinisur bisedimet indirekte, të ndërmjetësuara nga Omani, pasi Trump vazhdimisht të kërcënonte me luftë Iranin për shkak të shtypjes vdekjeprurëse të protestave muajin e kaluar. Përpjekjet e kaluara për negociata dështuan pasi Izraeli kreu sulme të befasishme ndaj Iranit qershorin e vitit të kaluar, duke nisur një luftë 12-ditore, gjatë së cilës Uashingtoni kreu po ashtu bombardime mbi qendrat bërthamore të Iranit. “Irani do të ishte shumë i mençur nëse do të arrinte një marrëveshje me presidentin Trump dhe administratën e tij”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt. Një ditë më parë, Trump përmes një postimi në Truth Social sërish sugjeroi se SHBA-ja mund ta sulmojë Iranin, teksa ka dislokuar forca të shumta ushtarake në Lindjen e Mesme. Ai paralajmëroi madje edhe Britaninë që të mos heqë dorë nga sovraniteti mbi Ishujt Çagos në Oqeanin Indian, duke thënë se baza ajrore në arkipelag, Diego Garcia, mund të përdoret nëse Irani nuk pranon një marrëveshje, “për të neutralizuar një sulm të mundshëm nga një regjim shumë i paqëndrueshëm dhe i rrezikshëm”.