Kur në fillim të këtij viti kompania gjermane e inxhinierisë dhe teknologjisë Bosch, përuroi në Dresden një fabrikë të re prodhimi çipash, ngjarja pati një mbulim të gjerë nga mediat vendase. Fabrika ofron çipa të specializuar për sektorin e automobilave. Objektet moderne të prodhimit të çipave janë të pakta në të gjithë BE-në. Megjithatë, fabrika e Bosch është thuajse "një pikë uji në oqeanin e prodhimit të çipave”. Në analizat e fundvitit rezulton se ekonomitë europiane duket se janë ndër më të goditurat nga mungesa globale e çipave, që vazhdon të ndikojë së tepërmi valën prodhuese. Prodhuesve të makinave u është dashur të shtyjnë dorëzimet e automjeteve. Ka mungesë të pajisjeve të internetit, pulteve komanduese të lojërave dhe shumë artikujve të tjerë që varen tërësisht nga çipat.