Mendimi se SHBA nuk u konsultua me aleatët rajonalë para se të niste luftën me Iranin dhe kundërpërgjigjja e këtij të fundit kanë ndezur dyshimet në shtetet e Gjirit: A i kanë bërë bazat e SHBA-së më të sigurta këto vende apo i kanë vënë ato përballë një rreziku të madh. Dy ditë më parë, irani shënjestroi një qendër të rëndësishme energjetike në Katar. Kjo pasoi një sulm izraelit ndaj fushës së gazit South Pars të Iranit. Durimit të Arabisë Saudite po i vjen fundi, tha ministri i jashtëm i vendit, princi Faisal bin Farhan, në një konferencë për shtyp. Ai theksoi se vendi i tij do të preferonte një zgjidhje diplomatike dhe bëri të qartë që territori saudit nuk do të lejohet të përdoret për të nisur sulme kundër Iranit. Megjithatë, Arabia Saudite do të përdorë çdo mjet që ka në dispozicion për t'i bërë presion Iranit të ndalojë sulmet ndaj vendeve fqinje që nuk janë të përfshira drejtpërdrejt në konflikt, shtoi ai. Është e qartë se shtetet e Gjirit po afrohen gjithnjë e më shumë drejt tërheqjes në një luftë në të cilën nuk kanë dashur kurrë të jenë pjesë.