Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, publikoi në rrjetet sociale disa foto të plazheve të boshatisura, pasi sipas tij, shumica e shqiptarëve e kanë të pamundur të pushojnë me fëmijët e tyre pas disa muajsh shumë të vështirë. Sipas kreut të PD, “turizmi është sot dega më e goditur nga kriza dhe pandemia. 100 mijë punonjës në këtë sektor dhe mbi 200 mijë të tjerë të lidhur me të, rrezikojnë punën dhe mbijetesën e tyre dhe të familjeve”. Basha shkruan se më shumë se gjysma e shqiptarëve e kanë të pamundur të pushojnë me fëmijët e tyre. Basha shkruan se si pasojë e dritëshkurtësisë së qeverisë Rama dhe premtimeve të pa mbajtura për t'i ardhur në ndihmë, këtë verë turizmi shqiptar gjendet në ditën e tij më të keqe. Kreu demokrat përmend edhe propozimet e opozitës për daljen nga kriza, teksa cilëson turizmin si prioritet që duhet mbështetur me likuiditete të mjaftueshme për të qenë në funksion të plotë.