Kthimi i besimit tek ekonomia dhe nxitja e punësimit në vend konsiderohet nga Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha si emergjencë kombëtare, ndërsa krijimi i lehtësirave dhe kushteve për të thithur sa më shumë investime të huaja, që hapin vende pune, si prioritet strategjik. Për këto çështje zoti Basha u takua me drejtuesit e Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri, të cilët 4 janë shqetësimet kryesore: konkurenca e pandershme, korrupsioni, burokracia dhe informaliteti i lartë. Kryetari Basha siguroi drejtuesit e Shoqatës së Investitorëve të Huaj se reformat që do të ndërmarrë qeveria e ardhshme do të çmontojnë konkurencën e pandershme, do të eliminojnë burokracitë e tepërta dhe do të luftojnë korrupsionin, duke bërë të mundur thithjen e investimeve të huaja dhe mbështetjen e prodhimit vendas.