Shqipëria po punon për mbylljen e të paktën dhjetë nga 33 kapitujt e negociatave me Bashkimin Europian, teksa për tre kapituj përgatitjet janë thuajse të përmbyllura. Detajet i dha kryenegociatorja Majlinda Dhuka, në mbledhjen e këshillit kombëtar të integrimit. “Ne po punojmë intensivisht me qëllim që të përgatisim teknikisht mbylljen e kapitujve për të paktën 10 kapituj të parë të cilat mbulojnë 27 nga 101 piketa në total teksa punojmë paralelisht me të gjitha fushat ose kapitujt e tjerë. Sa i përket kapitujve 30 marrëdhëniet me jashtë, 25 kërkimi shkencor dhe 26 arsimi, ne vlerësojmë se Shqipëria i ka kryer përgjithësisht të gjitha përgatitje teknike për mbylljen e tyre.”