Një 52-vjeçar I kërkuar për tre vrasje në Maqedoninë e Veriut, është lokalizuar dhe kapur në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, në kuadër të fazës së 80-të e operacionit policor të koduar “Operacionalja”. Sipas uniformave blu, Besim Sherfi fshihej prej kohësh në Tiranë, duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara, në emër të një shtetasi nga Kosova. 52-vjeçari me banim në Kopanica të Maqedonisë së Veriut, ishte shpallur në kërkim nga Interpol Shkupi, pasi Gjykata në vitin 2007, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”, vepër për të cilën legjislacioni penal i Maqedonisë së Veriut parashikon dënim maksimal, burgim të përjetshëm. Ky shtetas dyshohet se më 05 tetor 2007, në fshatin Kopanica, Shkup, ka vrarë me armë zjarri, 3 shtetas.