Australia akuzoi të martën Iranin për kryerjen e dy sulmeve antisemite në dy qytete të vendit, Sidnei dhe Melburn, si edhe urdhëroi ambasadorin iranian të largohet nga vendi brenda shtatë ditësh. Ky është dëbimi i parë i këtij lloji që nga Lufta e Dytë Botërore. Që nga fillimi i luftës së Izraelit në Rripin e Gazës në tetor të vitit 2023, shtëpitë, shkollat, sinagogat dhe automjetet në Australi janë vënë në shënjestër të vandalizmave dhe zjarrvënieve antisemite. Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, tha se Agjencia Australiane për Inteligjencë dhe Siguri ka mbledhur të dhëna të besueshme se Irani ka drejtuar të paktën dy nga këto sulme.