Rusia është kundër propozimeve evropiane për garanci të sigurisë për Ukrainën dhe nuk do të pranojë asnjë prezencë të trupave të NATO-s në territorin e shtetit fqinj, ka deklaruar Kremlini. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se dislokimi i trupave evropiane në Ukrainë do të nënkuptonte prani të NATO-s atje, gjë që sipas tij Rusia ka synuar që ta parandalojë që nga fillimi. “Që në fillim, ishte avancimi i infrastrukturës ushtarake të NATO-s dhe depërtimi i kësaj infrastrukture ushtarake në Ukrainë që mund të përmendet ndoshta si një nga shkaqet themelore të situatës së konfliktit që lindi”, tha Peskov.