Presidenti Bajram Begaj dekretoi pa vonesa këtë të premte ligjin për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Burime nga presidenca për Top News pohojnë se dekretimi është bërë me shpejtësi për të zgjidhur ngërçin në pagat e magjistratëve pavarësisht se vetë institucionet e drejtësisë e kundërshtuan si draft. Dekretimi është kundërshtuar nga Partia Demokratike, ku sipas tyre presidenti Begaj nuk ka ushtruar rolin e tij si garant i Kushtetutës dhe si faktor ekuilibrues institucional. Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i grupit parlamentar të PD, Bardhi tha se ligji prek drejtpërdrejt arkitekturën kushtetuese të shtetit pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe raportin ndërmjet pushteteve, veçanërisht rolin e Gjykatës Kushtetuese në garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve.