Nuk ka të ndalur trafiku i emigrantëve përmes kufirit të gjelbër të Shqipërisë. Patrullat policore, në bashkëpunim me njësitë frontex organizuan një tjetër operacion të koduar Muzgu 6, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Si rezultat i këtij operacioni u kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm një 43 vjecar që është arrestuar, ndërsa u sekuestrua edhe një automjet. Specialistët e Seksionit të Hetimit të Trafiqeve të paligjshme në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se përgjatë aksit rrugor Kakavijë-Gjirokastër do të transportoheshin emigrantë të paligjshëm, kanë organizuar punën dhe kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit me inicialet E. T., i cili u kap në afërsi të fshatit Glinë, duke transportuar 6 emigrantë të paligjshëm, në drejtim të Tiranës, me mjetin tip "Mercedez Benz”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.