As prania e të gjithë ambasadorëve të vendeve kryesore të Bashkimit Europian në Kuvendin e Kosovës, nuk tërhoqi palët nga qëndrimet ‘kokëforta’ për konstituimin e Kuvendit. Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari ka ftuar seancën e radhës, të 53-tën me radhë për ditën e shtunë, në orën 14:00. Kjo thirrje vjen pasi përpjekja për formimin e komisionit për votim të fshehtë dështoi sërish, me vetëm 54 vota pro pa asnjë votë kundër apo abstenim, duke pamundësuar kështu përparimin drejt konstituimit të Kuvendit. Seanca e së shtunës pritet të mbahet vetëm një ditë para se të hyjë në fuqi masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese, e cila ndalon çdo veprim të deputetëve të zgjedhur lidhur me konstituimin e Kuvendit në periudhën 27 korrik deri më 8 gusht.