Ish-ambasadori britanik në Shtetet e Bashkuara, Peter Mandelson është arrestuar nga Policia e Londrës, këtë të hënë, nën dyshimin për shpërdorim detyre. Arrestimi i tij vjen pas zbulimeve të fundit mbi lidhjet e lordit britanik me famëkeqin, Jeffrey Epstein. Mandelson, 72 vjeç, u shkarkua nga posti më prestigjioz në shërbimin diplomatik të Britanisë në shtator, kur detajet e lidhjes së tij me Epstein filluan të dilnin në sipërfaqe. Policia Metropolitiane nisi hetimet ndaj ish-ambasadorit, në fillim të këtij muaji, pasi qeveria e Kryeministrit, Keir Starmer publikoi komunikimet midis tij dhe Epstein.