Tre vajza të reja franceze, të moshës 18, 19 dhe 21 vjeç, janë arrestuar në Francë nën dyshimin se po planifikonin një sulm terrorist në Paris. Lajmi u konfirmua nga Zyra Kombëtare e Prokurorit Antiterrorizëm (PNAT), pas raportimeve fillestare të RTL dhe Le Parisien. Sipas autoriteteve, tre të dyshuarat, të gjitha shtetase franceze dhe që besohet se janë radikalizuar, u arrestuan në Lyon, Vierzon dhe Villeurbanne. Pas marrjes në pyetje, ato u vendosën në paraburgim me urdhër të gjykatës. Ky është rasti i gjashtë i parandaluar në Francë që nga fillimi i vitit 2025, ndërsa hetimi është hapur me akuzat për “pjesëmarrje në një organizatë terroriste me qëllim përgatitjen e krimeve kundër personave”.