Drejtorja e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni është vënë nën masat e sigurisë arrest shtëpie dhe pezullim nga detyra nga ana e SPAK, ndërsa hetimet kanë çuar edhe në kontrollin e banesës dhe marrjen në pyetje këtë të martë të ish drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Hetimet ndaj të dyve lidhen me një fraksion të dosjes AKSHI, ku drejtorja e SHISH dyshohet për nxjerrje të sekretit hetimor. Burimet nga SPAK pohojnë se masa e sigurisë ndaj Hysenit nuk është ekzekutuar ende. Shkak është bërë mungesa e saj në banesën e deklaruar. Dyshohet se drejtorja e SHISH ndodhet jashtë vendit për një vizitë pune. Destinacioni i Hysenit nuk dihet, por ditët e fundit nga SHISH ka një procedurë tenderimi për bileta avionësh në drejtim të Stambollit në Turqi, Bakut në Azerbajxhan dhe Romës në Itali. Po në kuadër të këtij hetimi janë kryer kontrolle në banesën e ish drejtorit të Policisë së Shtetit Ilir Proda në zonën e ish fushës së avioacionit në Tiranë. Pas kontrolleve, Proda është shoqëruar në SPAK për t’u marrë në pyetje, ku pak më vonë është lënë i lirë.