Shqipëria dhe Mali i Zi janë në pararojë të anëtarësimit në Bashkimin Europian, por që të dyja vendet vështirë se mund të plotësojnë kriteret e vendosura nga Brukseli për anëtarësim të plotë brenda vitit 2030. Misioni vështirësohet edhe më tej nga vetoja e mundshme politike e vendeve anëtare. Por, anëtarësimi brenda kësaj dekade mbetet realist, thotë Instituti Ndërkombëtar i Vjenës për Studime Ekonomike.