Aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në BE po shndërrohet në një provë vendimtare nëse Brukseli do të mbrojë vlerat e tij themelore mbi të drejtat e njeriut, procesin e rregullt ligjor dhe përgjegjshmërinë, kur ato bëhen politikisht të papërshtatshme. Kështu e nis analizën e saj, platforma Europrospects, duke cituar rastin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn si një test për drejtësinë e re shqiptare dhe mbi të gjitha respektimin e standardeve europiane prej saj. “Kornizat agresive antikorrupsion mund, nëse nuk kontrollohen mjaftueshëm, të fuqizojnë keqpërdorimin e normave ligjore. Kur kjo ndodh, vetë institucionet e krijuara për të përafruar vendet me standardet e BE-së për shtetin e së drejtës rrezikojnë t’i minojnë ato. Për vendet që synojnë anëtarësimin, kjo krijon një paradoks: reformat e dizajnuara për të përshpejtuar integrimin në BE mund, përkundrazi, ta rrezikojnë atë”, shkruan platforma.