Banka Botërore paralajmëroi të martën se ekonomia globale rrezikon të futet në recesion këtë vit, ndërsa po ndikohet nga rritja e dobët e vendeve me ekonomitë më të mëdha, Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Kina. Në raportin vjetor të Bankës Botërore, e cila jep kredi për projekte zhvillimi në vendet më të varfëra, thuhet se pothuajse ka përgjysmuar parashikimin e saj për rritjen globale këtë vit, nga fillimisht e parashikuar në 3 për qind, tashmë në nivelin 1.7 për qind. Nëse ky parashikim rezulton i saktë, kjo do të ishte rritja e tretë më e dobët vjetore në tre dekada, duke u radhitur pas recesioneve të thella që rezultuan nga kriza globale financiare e vitit 2008 dhe nga pandemia e koronavirusit në vitin 2020.