Dhuna, bullizimi dhe mungesa e mbështetjes për shëndetin mendor janë shqetësimet kryesore të ngritura nga fëmijët dhe adoleshentët gjatë konsultimeve për hartimin e Agjendës Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve 2027–2030. Dokumenti përmbledh konsultimet me 74 të rinj të moshës 13–18 vjeç nga zona të ndryshme të vendit. Sipas tyre, bullizimi mbetet forma më e përhapur e dhunës, si në shkolla dhe komunitete, ashtu edhe në rrjetet sociale. Raporti thekson se shumë fëmijë nuk i raportojnë rastet e dhunës për shkak të frikës nga paragjykimi, mungesës së besimit se situata do të ndryshojë dhe mosnjohjes së mekanizmave të raportimit.