Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria e Korçës po vijojnë hetimet për ngjarjen e rëndë në fshatin Lozhan të Maliqit, ku 43-vjeçari Violand Braçellari vrau efektivin e “Shqiponjave” Enea Mekolli dhe plagosi Edison Adrin gjatë operacionit për arrestimin e tij. Mësohet se gjatë operacionit efektivët kanë fikur radiot e tyre të komunikimit për të shmangur ndërhyrjet me pajisjet e ngjashme që posedonte Braçellari. Ndërkohë, nga verifikimet e kryera nga Prokuroria dhe AMP për respektimin e procedurave policore nuk janë konstatuar shkelje në organizimin dhe zhvillimin e operacionit. Lidhur me debatet për mungesën e forcave RENEA apo të Forcës Operacionale, grupi hetimor vlerëson se Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka bërë një vlerësim të saktë të rrezikshmërisë së Braçellarit. Sipas hetuesve, ai ishte në kërkim për vepra që lidhen me prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike dhe jo për krime të rënda kundër jetës. Hetuesit sqarojnë se aktivizimi i forcave RENEA bëhet rast pas rasti dhe nuk përbën një detyrim për çdo operacion policor. Megjithatë, hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe mënyrës se si është kryer operacioni vijojnë ende.