Policia e shtetit ka zhvilluar operacion të koduar “Koordinata”, për parandalimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike. Operacioni sipas Policisë, do të shtrihet në të gjithë vendin. Në kuadër të këtij operacioni, u evidentuan dhe u goditën nga Komisariati i Policisë Vau i Dejës, 2 raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Sipas njoftimit zyrtar, përmes përdorimit të dronit janë gjetur në 2 zona të fshatit Vig, 2200 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në tokë dhe 578 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa të kultivuar në kubikë.