Shërbimet e Policisë së Shtetit dhe në veçanti strukturat e Policisë Rrugore kanë intensifikuar punën për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë. Javët e fundit janë konstatuar dhe ndëshkuar shumë drejtues mjetesh që kryejnë sjelle agresive në rrugë, që drejtojnë mjetet pa leje drejtimi, nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur, kryejnë parakalime të gabuara dhe qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara, si në akset rrugore nacionale, ashtu edhe në qendrat e banuara, shkelin sinjalistikën vertikale dhe horizontale, qarkullojnë pa rrip sigurimi e kaskë mbrojtëse dhe përdorin aparatin celular gjatë drejtimit të mjetit. Por, pavarësisht numrit të lartë të masave administrative dhe procedimeve penale të marra ndaj drejtuesve të automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, përsëri vihet re një numër i lartë i shkeljeve të rregullave të qarkullimit, të cilat në disa raste kanë sjellë si pasojë edhe humbjen e jetës. Duke analizuar situatën, nisur dhe nga fakti se jemi në fundjavë dhe fluksi i automjeteve në lëvizje drejt zonave bregdetare apo pikave turistike do jetë shumë herë më i madh, Policia e Shtetit nën moton "Ruaj jetën dhe kuletën duke respektuar Kodin Rrugor", do të intensifikojë punën me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.