Një aksident i rëndë rrugor në zonën e Nea Peramos në Kavallë të Greqisë u ka marrë jetën dy shtetasve me origjinë shqiptare. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e kësaj të shtune në rrugën që lidh Nea Peramos me zonën turistike të Amolofëve. Të dy shtetasit po lëviznin me një motocikletë dhe skuter elektrik në momentin e përplasjes. Si pasojë e aksidentit, humbi jetën fillimisht 34-vjeçari që drejtonte motocikletën. Ndërkohë, drejtuesi 36-vjeçar i skuterit elektrik u transportua me urgjencë në Spitalin e Përgjithshëm të Kavallës, ku u shtrua në Repartin e Terapisë Intensive. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për t’i shpëtuar jetën, 36-vjeçari ndërroi jetë gjatë orëve të natës, duke e çuar në dy numrin e viktimave nga aksidenti. Sipas mediave lokale greke, dy viktimat ishin me origjinë nga Shqipëria dhe ishin miq me njëri-tjetrin. Policia greke ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.