Një aksident është shënuar mbrëmjen e së martës në Durrës ku një automjet ka përplasur një punonjës policie. Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, aksidenti është regjistruar pranë mauzoleumit të dëshmorëve në Durrës. Të njëjtat burime bëjnë me dije se efektivi i plagosur është Gentian Hoxholli, i cili është dërguar me urgjencë në spitalin e qyteti bregdetar të Durrësit, jashtë rrezikut për jetën. Po ashtu drejtuesi i automjetit që ka aksidentuar efektivin e policisë rrugore është shoqëruar në komisariat. Ende nuk dihet sesi ka ndodhur aksidenti, por bëhet e ditur se efektivi i policisë Hoxholli, ndodhej në krye të detyrës kur është goditur nga automjeti tip Ford.