Një 60 vjeçare ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor të regjistruar në zonën e Bradasheshit në Elbasan mëngjesin e kësaj të hëne. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 8 në aksin rrugor që lidh Elbasanin me Peqinin, pranë paraburgimit. Viktima ka qenë duke lëvizur në këmbë në anë të rrugës kur është përplasur me forcë nga një automjet në drejtimin e të cilit ndodhej 47 vjeçari me inicialet F.Q., banues në fshatin Papër. Si pasojë e përplasjes, 60 vjeçarja ka ndërruar jetë në vendngjarje. Policia shoqëroi në komisariat 47 vjeçarin dhe pas marrjes së tij në pyetje i komunikoi masën e arrestit. Dyshohet se autori ka qenë me shpejtësi dhe ka kryer jnë manovër të gabuar në rrugë, edhe pse aksi në atë orar ishte i rënduar nga trafiku.