Të paktën dy persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën kur një autobus u përmbys të dielën në një autostradë në Kroaci, njoftoi policia. Autobusi, me targa serbe, doli nga rruga dhe u përmbys në orën 07:25, ndërsa po udhëtonte në drejtim të kryeqytetit kroat, Zagrebit, bëri të ditur policia. Shkaku i aksidentit nuk u bë i qartë menjëherë. Autostrada A3 në Kroaci shtrihet nga kufiri me Serbinë, kalon pranë Zagrebit dhe vazhdon drejt Sllovenisë. Shërbimet e emergjencave njoftuan se në autobus ndodheshin 33 pasagjerë dhe dy shoferë në momentin e aksidentit. Rreth 20 persona kanë mbetur të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë, deklaroi për transmetuesin shtetëror HRT, Dario Kezeriç, komandant i zjarrfikësve të Zagrebit.