Agjencitë amerikane të zbulimit thanë të mërkurën se ekstremistët e motivuar nga racizmi dhe ekstremistët e grupeve militante paraqesin kërcënimet më vdekjeprurëse të terrorizmit brenda vendit, ndërsa paralajmëruan se këto kërcënime mund të rriten këtë vit. Në vlerësimin e publikuar nga Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar thuhet se ekstremistët e motivuar nga racizmi kanë më shumë të ngjarë të kryejnë sulme kryesisht kundër civilëve, ndërsa anëtarët e grupeve militante zakonisht vënë në shënjestër policinë, personelin dhe ndërtesat qeveritare.